JOQ Albania
Home

Shpella e Kabashit, vizitë në një “planet” tjetër
Shkruar nga: | Publikuar më: 20/10/2016 12:00

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Kur flitet për bukuritë natyrore të Gramshit, vend kryesor zë shpella e Kabashit. Është një nga shpellat më unike në Shqipëri dhe ndoshta nga më të bukurat në Ballkan. Ndodhet në afërsi të fshatit Kabash, 28 km nga qyteti Gramsh në lartësinë 900 m mbi nivelin e detit. Ajo është e formuar nga shkëmbinjtë gëlqerorë të Kretës së Sipërmë dhe ka një gjatësi rreth 120 m.

Nga banorët e zonës njihet ndryshe edhe si “Shpella e Farricës”.  Nuk është e lehtë për ta gjetur. Nevojitet një guidë e veçantë për ata që e eksplorojnë për herë të parë.

Shpella e Kabashit ka një hyrje vetëm 1 m2 dhe pas 4-5 metrash zgjerohet sa një fushë futbolli. Ende nuk është eksploruar. Pjesa e njohur formon një labirinth të vërtetë dhe është e mbushur me konkrecione të shumta stalaktite dhe stalagmite me bukuri të rrallë. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, biologjike), kulturore, didaktike dhe turistike.

Gojëdhënat

Shpella e Kabashit duket se ka tërhequr me kohë vëmendjen e të huajve. Një i moshuar  nga fshati Kabash tregon se gjatë pushtimit austriak aty ka qenë një grup ushtarësh me komandantin e tyre. Ata mbanin një shportë të madhe. Kur kaluan nga fshati Kabash pyetën se si quhej ky vend. Dhe ata i treguan, Kabash. “Ju të Kabashit duhet të hani me lugë floriri i ishte drejtuar ai atyre”.

Gjithashtu më të vjetrit kanë treguar gjithnjë histori se aty mund të fshihet një thesar i madh por që askush deri më tani nuk e ka gjetur. Banorët tregojnë se aty kanë futur një qen i cili ka dalë në afërsi të Librazhdit gjë që konfirmon se “Shpella e Kabashit” është një labirinth i pafund, ende i pazbuluar.

Gjatë viteve të fundit shpella e Kabashit është përfshirë në guidat turistike dhe po frekuentohet si nga vizitorë vendas ashtu edhe nga të huajt.

Ata që e vizitojnë përjetojnë një emocion mjaft të veçantë pasi shpella ofron pamje spektakolare, që nuk haset në asnjë vend tjetër mbi tokë. Aq mahnitëse janë këto pamje sa të duket vetja sikur ndodhesh në një planet tjetër.Fatkeqësisht mjaft stalakmite dhe stalaktite tashmë janë vjedhur dhe thyer e po përdoren si dekore në ambiente familjare. Infoelbasani.al