Keni frikë t’i thoni diçka babit? Kjo është metoda që ju “shpëton” jetën

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 28.09.2017, 20:28

babi

Foto ilustruese
Nëse jeni në moshë të re dhe akoma nuk e keni fituar vetëbesimin për t'i bërë ballë autoritetit të babit, zgjidhje ka plot. Një të tillë jua sugjeron JOQ.al dhe ju sigurojmë se do t'ju bëjë punë.
Me siguri, ju ka ndodhur që keni dashur të merrni leje për të shkuar në një udhëtim të largët, por s'ia keni thënë dot babit (ose mamit, se ka raste që këto të fundit "i tmerrojnë" fëmijët). Mund të keni pësuar një aksident, jeni vrarë shumë-shumë dhe keni prishur motorin apo makinën, por nuk keni pasur kurajon për t'ia treguar të vërtetën njeriut që ju ka bërë kokën. Ka edhe raste më alarmante apo të frikshme: mund të keni lënë shtatzënë një vajzë!
Këshilla jonë është e thjeshtë. Nëse keni frikë siç shkruam më lart, përpiquni të bëni një lojë me prindin. Shkoni për dy-tri ditë te tezja apo halla dhe njoftojeni me mesazh se ka një letër poshtë jastëkut. Aty i lini fillimin e një historie shumë të bukur, duke shpikur emra dhe ngjarje nga më magjepsëset. Nëpërmjet asaj historie, ju nisni t'i tregoni hallin tuaj.
Mos shkruani shumë në fillim, sepse me një mesazh të dytë pas disa orësh (ose të nesërmen) do ta njoftoni se ka një letër tjetër, po me këtë histori, te një vend tjetër në shtëpi. Dalëngadalë ju do të keni mundësinë për t'ia shpjeguar situatën dhe, kështu, prindi do ta kuptojë se çfarë po i kërkoni.
Mund t'i dërgoni prapë një mesazh dhe fjalitë e fundit t'ia thoni me një letër të tretë. Përveçse do të zbavitet, sepse do t'i duket një lojë me mistere, prindi do të ketë një natë apo dy për t'u qetësuar dhe për t'u menduar, çfarëdo që t'i thoni apo kërkoni. Kështu, mund të marrë frymë lirisht, t'i heqë nervat, ankesat dhe ato fjalët e ashpra.
Ju, në fund, do të fitoni kohën e duhur për një mesazh përfundimtar: "Hë, pranon?", "Hë, do të më falësh?" apo "A u pajtuam?". Nëse e provoni, na tregoni! Një redaktor i yni e ka provuar dhe ka pasur sukses. Mund të na falenderoni duke na dërguar një lule në redaksi.
P.S.: Kjo ide nuk është "e vjedhur" nga jashtë, kështu që mos thoni se këto gjëra nuk ecin në Shqipëri. Ecin, ecin! /JOQ.al

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit