Nëse shtëpitë në Shqipëri janë bërë aq të shtrenjta sa nuk i kap dot as me dylbi, mos u shqetësoni! Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj sapo ju ka gjetur zgjidhjen.
Strategjia e re qeveritare nuk është ulja e çmimeve stratosferike të tregut, por hapja e rrugës që qytetarët të zhyten edhe më thellë dhe më kollaj në borxhe. Sipas njoftimit të ministres, për vitin 2027 po gatuhen dy oferta që tingëllojnë si ëndërr, derisa merr makinën llogaritëse në dorë...
Paketa e parë: Kredi deri në 6 milionë lekë të reja me interes zero (ku interesin e paguan shteti). Paketa e dytë: Kredi deri në 20 milionë lekë të reja me interes 3%, madje me mundësi që të mos paguash as këstin e parë dhe të kesh lehtësira për garancinë.
Le të bëjmë një llogari elementare me "ofertën e madhe" prej 20 milionë lekësh. Me 3% interes për 30 vjet rresht, kësti mujor shkon rreth 84 mijë lekë. Në fund të tre dekadave, qytetari i lumtur do t'i ketë kthyer bankës mbi 30 milionë lekë, pa llogaritur komisionet e tjera.
Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare të INSTAT-it për tremujorin e parë të vitit 2026, paga mesatare bruto në vend është 90.119 lekë. Me pak fjalë, sipas vizionit të qeverisë, një shqiptar mesatar duhet t'ia dorëzojë bankës pothuajse të gjithë rrogën e tij (pa zbritur ende taksat) dhe pjesën tjetër të muajit të ushqehet me ajër të pastër dhe krenari për çatinë mbi kokë.
Teksa Banka e Shqipërisë raporton se çmimet e banesave në gjashtëmujorin e parë të 2026-ës u rritën me 10% krahasuar me një vit më parë, hedhja e më shumë parave në treg ka vetëm një rezultat të sigurt... ndërtuesit do t'i rrisin çmimet edhe më shumë. Kështu, paratë e taksapaguesve që shteti jep si "subvencion" për familjet, do të kalojnë direkt e në xhepat e kompanive të ndërtimit.
Nga postimi i ministres mungojnë ende detajet kryesore se sa familje do ta shohin këtë "mrekulli", sa do t'i kushtojë kjo faturë buxhetit të shtetit dhe si do të ndalohet rritja e mëtejshme e çmimeve. Deri atëherë, mesazhi mbetet i qartë... problemin se pse një rrogë nuk blen dot asnjë metër katror nuk e zgjidhim dot, por të paktën ju japim mundësinë të bëheni skllevër të bankës deri në pension.