Rezidenca e Princit William dhe Kate në shënjestër të hajdutëve, dy shqiptarë hyjnë brenda për të vjedhur

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 25.11.2026, 11:02

Dy shtetas shqiptarë kanë përfunduar në prangat e policisë britanike, pasi dyshohet se kanë hyrë pa autorizim në pronën mbretërore Sandringham, në Norfolk, ku ndodhet edhe rezidenca Anmer Hall, e përdorur nga Princi William dhe bashkëshortja e tij, Kate Middleton. Sipas raportimeve të mediave britanike, njëri prej tyre është emigrant i paligjshëm.

Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë në një prej pronave të familjes mbretërore. Dy personat dyshohet se kanë depërtuar në territorin e rezidencës me qëllim kryerjen e një grabitjeje, ndërsa, sipas informacioneve paraprake, nuk e kishin kuptuar se prona i përkiste Princit dhe Princeshës së Uellsit.

Megjithatë, autoritetet britanike po hetojnë të gjitha rrethanat e incidentit. Gazeta “The Sun” raporton se po verifikohet nëse hyrja në pronën mbretërore ishte një tentativë e zakonshme vjedhjeje apo nëse pas saj mund të qëndronte një qëllim tjetër.

Të dyshuarit u arrestuan brenda territorit të pronës dhe aktualisht ndodhen në paraburgim. Policia e Norfolkut konfirmoi se në momentin e incidentit, në Anmer Hall nuk kishte asnjë person.

Për kapjen e tyre u angazhua një numër i konsiderueshëm forcash policore. Sistemet e sigurisë së rezidencës, përfshirë kamerat e vëzhgimit, sensorët lazer dhe pajisjet e zbulimit të lëvizjeve, u aktivizuan pas identifikimit të ndërhyrjes. Në operacion morën pjesë gjithashtu qen policie dhe dronë, ndërsa kërkimet u mbështetën edhe nga një helikopter i Shërbimit Ajror të Policisë Kombëtare, i pajisur me kamera termike, i cili u ngrit nga Nottingham.

Anmer Hall ndodhet në pronën mbretërore Sandringham dhe shërben si rezidencë private për pushimet e Princit William dhe Kate Middleton. Çifti e mori këtë pronë si dhuratë nga Mbretëresha Elizabeth II, pas martesës së tyre në vitin 2011.

Ndërkohë, vendbanimi kryesor i familjes është Forest Lodge, në Windsor, ku Princi dhe Princesha e Uellsit jetojnë së bashku me tre fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis. Anmer Hall përdoret kryesisht gjatë fundjavave dhe pushimeve shkollore, kur familja qëndron në Norfolk.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit