Një plagosje me thikë është regjistruar pasditen e sotme në qytetin e Fierit, ku ka mbetur i lënduar 29-vjeçari Bexhet Myftari.
Fillimisht u raportua se autori i dyshuar i ngjarjes ishte një 15-vjeçar, por Policia ka reaguar zyrtarisht duke saktësuar se bëhet fjalë për një 17-vjeçar, me inicialet G. A., i cili është identifikuar, por ende nuk është kapur.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:20, në lagjen “Konferenca e Pezës”, ku 29-vjeçari dhe i mituri janë përfshirë në një konflikt. Gjatë përplasjes, 17-vjeçari dyshohet se e ka goditur Myftarin me një mjet prerës dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
I plagosuri është transportuar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të konfliktit, ndërsa shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e të dyshuarit.