“E dimë kush e porositi vrasjen”, familjarët e viktimave drejtojnë gishtin nga “Ben Qimja”

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 24.11.2026, 14:36

Detaje të reja po dalin nga hetimet për atentatin e rëndë të ndodhur në Fier, ku humbën jetën Selami Hasani, i njohur edhe si “Sel Çami”, dhe nipi i tij, Jakup Hasani. Dy viktimat, xhaxha e nip, u qëlluan në oborrin e banesës së tyre.

Gjatë marrjes në pyetje në Policinë e Fierit, një prej vëllezërve të Selami Hasanit ka deklaruar se familja e di se kush qëndron pas organizimit dhe financimit të krimit. Sipas tij, hetuesit duhet të identifikojnë personat që ekzekutuan atentatin.

“E dimë kush e ka organizuar dhe financuar vrasjen. Policia duhet të gjejë vetëm ata që kanë tërhequr këmbëzën në derën e shtëpisë, pasi emrin e urdhëruesit e dimë shumë mirë”, mësohet të ketë deklaruar ai para oficerëve të policisë.

Sipas mediave, gjatë dëshmisë ai ka drejtuar dyshimet drejt Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”. Familjarët pretendojnë se mes palëve ka pasur konflikte të hershme dhe një histori të gjatë hasmërie. Megjithatë, këto deklarime mbeten pjesë e pistave që po verifikohen nga grupi hetimor.

Atentati mori një tjetër përmasë pas konfirmimit të vdekjes së Jakup Hasanit në Spitalin Rajonal të Fierit, duke e çuar në dy numrin e viktimave nga sulmi me armë në oborrin e banesës.

Ndërkohë, policia ka sekuestruar disa pamje nga kamerat e sigurisë, të cilat po analizohen për të rindërtuar lëvizjet e autorëve para dhe pas ngjarjes. Nga verifikimet paraprake, pranë banesës së viktimave shfaqen dy persona me kapuçë të zinj dhe veshje të errëta.

Dyshohet se autorët janë larguar në drejtim të Vlorës, ndërsa në rrugë i priste një automjet tip “Volvo”, i bardhë dhe i raportuar si i vjedhur. Pak minuta pas atentatit, makina u gjet e djegur pranë rrethrrotullimit të Pojanit, në aksin Fier–Vlorë.

Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti edhe dy armë zjarri, njëra prej të cilave dyshohet se ishte e pajisur me silenciator. Pas ngjarjes, u ngritën disa pika kontrolli në zona të ndryshme, përfshirë edhe në Vlorë, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e personave të përfshirë.

Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë që atentati të jetë kryer nga një grup i organizuar kriminal. Për nga mënyra e ekzekutimit, ngjarja është krahasuar me vrasjen e Gentjan Bejtjas në Larushk të Fushë-Krujës, ku një grup personash hynë në oborrin e banesës së tij dhe e qëlluan teksa ndodhej në serën ku po punonte.

Në kuadër të hetimeve, më shumë se 16 persona janë shoqëruar dhe marrë në pyetje. Mes tyre raportohen pjesëtarë të fisit Isufaj, persona nga rrethi shoqëror, si dhe fqinj të dy viktimave.

Grupi hetimor vijon punën për të zbardhur motivet e atentatit, për të verifikuar dëshmitë e familjarëve dhe për të identifikuar personat që kanë marrë pjesë në organizimin dhe ekzekutimin e sulmit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit