“E dashura vuan nga ankthi dhe depresioni, ka nevojë për mua”, shqiptari i kapur me kokainë lutet: Mos më dëboni nga Britania!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22.11.2026, 18:16

Një shqiptar 37-vjeçar ka humbur betejën e fundit ligjore për të shmangur dëbimin nga Britania e Madhe, pasi tentoi të bindte autoritetet se largimi i tij drejt Shqipërisë do të kishte pasoja të rënda për partneren rumune, e cila vuan nga ADHD, ankthi dhe depresioni.

Bëhet fjalë për Eugert Pulajn, i cili u dënua me 2 vite e 4 muaj burg në qershor 2024, pasi u kap nga policia e Londrës me 24 qese kokainë. Ai u shpall fajtor për posedim të një droge të klasit A me qëllim shpërndarjen e saj.

Pulaj kishte hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar nga Irlanda në vitin 2019. Pas dënimit, Ministria e Brendshme britanike vendosi nisjen e procedurave për dëbimin e tij drejt Shqipërisë.

Për të kundërshtuar këtë vendim, shqiptari iu drejtua gjykatave me argumentin se partnerja e tij, një shtetase rumune me të drejtë qëndrimi të përhershme në Britani, ishte emocionalisht e varur prej tij dhe kishte nevojë për mbështetjen e tij të përditshme.

Sipas pretendimeve të paraqitura në gjykatë, gruaja ishte diagnostikuar me çrregullim të deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD), ankth dhe depresion. Pulaj pretendonte se ndihma e tij emocionale dhe praktike nuk mund të zëvendësohej përmes telefonatave apo komunikimit në distancë. Edhe vajza e partneres dëshmoi në mbështetje të çiftit.

Gjykata e shkallës së parë e pranoi se marrëdhënia ishte reale dhe se shqiptari luante një rol mbështetës në jetën e partneres. Megjithatë, vlerësoi se çifti mund të vazhdonte jetën së bashku në Shqipëri, ku Pulaj kishte ende një banesë familjare, ose të ruante marrëdhënien përmes vizitave dhe komunikimit në distancë.

Pavarësisht rrëzimit të kërkesës së parë, Pulaj paraqiti një tjetër apel, duke pretenduar se nuk ishte marrë sa duhet në konsideratë gjendja e partneres dhe vlerësimi se ai kishte rrezik të ulët për të kryer përsëri vepra penale.

Por edhe kjo përpjekje dështoi. Në vendimin e publikuar më 4 shtator 2026, gjykatësja Jill Frances e Gjykatës së Lartë të Emigracionit (Upper Tribunal) arriti në përfundimin se vendimi i mëparshëm nuk përmbante gabime thelbësore ligjore dhe rrëzoi apelin.

Kështu, vendimi për dëbimin e Eugert Pulajt drejt Shqipërisë mbetet në fuqi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit