Ushqimet në Shqipëri shtrenjtohen 5.5 herë më shpejt se në BE/ Familjet përballen me rritjen e kostos së jetesës

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 22.11.2026, 16:40

Të bësh pazarin e përditshëm në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më e vështirë për familjet. Çmimet e produkteve ushqimore vijojnë të rriten me ritme shumë më të larta se në Bashkimin Europian, duke rënduar drejtpërdrejt buxhetin e qytetarëve.

Sipas të dhënave të INSTAT dhe Eurostat, në tetor ushqimet në Shqipëri u shtrenjtuan me 4.4% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa në BE rritja ishte vetëm 0.8%. Rritja më e ndjeshme në vend është regjistruar te peshku, me 9.9%, dhe perimet e bishtajoret, me 9.4%. Edhe mishi dhe vajrat kanë shënuar rritje përkatësisht me 4.6% dhe 4.2%.

Një tjetër kontrast është ai mes forcimit të lekut dhe çmimeve në markete. Më 19 nëntor, një euro këmbehej me 90.02 lekë, por kjo nuk është përkthyer në një lehtësim të dukshëm për konsumatorët. Pavarësisht kursit të këmbimit, qytetarët vijojnë të paguajnë më shumë për produktet bazë.

Vështirësitë ekonomike pasqyrohen edhe në të dhënat e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Sipas një ankete të këtij institucioni, 46% e shqiptarëve të pyetur deklarojnë se familjet e tyre nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 1.000 eurosh, përqindja më e lartë në Ballkanin Perëndimor.

Qeveria po përgatit uljen e TVSH-së për produktet e shportës nga 20% në 6%. Megjithatë, mbetet për t'u parë nëse kjo masë do të sjellë ulje reale të çmimeve apo do të mbetet vetëm një lehtësi në letër.

Për familjet shqiptare, rëndësi ka ajo që paguajnë në arkën e supermarketit, jo vetëm vendimet e shpallura. Pa monitorim të çmimeve dhe transparencë nga tregtarët, ulja e taksës nuk garanton automatikisht një shportë më të lirë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit