Tentativa e një 25-vjeçari për t’i marrë 1 milion euro Ardi Kollçakut, duke u hequr si kryeministri Edi Rama në aplikacionin “Signal” ka rikthyer në qendër të vëmendjes emrin e pronarit të “Anchor Investments”, ish-presidentit të klubit të futbollit “Skënderbeu” dhe figurës kyçe pas projektit shumëkatësh “Tirana Tower”, emri i të cilit më herët doli në dosjen e SPAK-ut për pastrimin e parave të kokainës.
Albi Muça u arrestua në flagrancë nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit “Request”, pasi vetë Kollçaku denoncoi mesazhin ku i kërkohej shuma marramendëse në emër të kreut të qeverisë. Por përtej prangosjes së të riut, rasti ngre një sërë pikëpyetjesh: pse u vu në shënjestër pikërisht ky biznesmen, pse shuma e kërkuar ishte 1 milion euro dhe nëse pas 25-vjeçarit fshihen persona të tjerë që njihnin dobësitë apo ekspozimin e tij.
Në skemat e zhvatjes dhe mashtrimit, as shënjestra dhe as shuma nuk zgjidhen pa llogari. Përdorimi i identitetit të kryeministrit njeriut që drejton qeverinë dhe Këshillin Kombëtar të Territorit ku miratohen lejet për kullat duket se kishte si synim t’i jepte kërkesës peshë, urgjencë dhe presion të menjëhershëm.
Perandoria e betonit dhe lidhjet në dosjen e SPAK-ut
Arsyeja pse rasti ka marrë jehonë të madhe lidhet me profilin e vetë Ardi Kollçakut. Më 16 qershor të këtij viti,SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) zbarkuan në 23 ambiente, përfshirë zyrat e “Anchor Investments” dhe projektet e saj, në kuadër të një operacioni të gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimit të parave.
Edhe pse Kollçaku nuk është mes të arrestuarve dhe ndaj tij nuk ka masë sigurie, strukturat e tij të biznesit rezultojnë në zemër të verifikimeve hetimore. Përmes “Anchor Investments”, ai kontrollon një zinxhir të mbyllur kompanish — nga prodhimi i betonit me “Anchor Beton”, te projektet e mëdha rezidenciale dhe tregtare si “Tirana Tower”, “Tirana West Center”, “Seaside Residence I”, “Sun Palasë” dhe “Alias Power”.
Skema 50–25–25 e “Tirana Tower”
Në fokusin e hetimeve të SPAK-ut ka rënë veçanërisht godina shumëkatëshe “Tirana Tower” në rrugën “Xhanfize Keko”, ku në qershor u sekuestruan 32 apartamente, 6 njësi tregtare dhe 52 poste parkimi.
Sipas të dhënave të dosjes, projekti është ndërtuar mbi një marrëveshje me tri kuota:
Dy kompanitë e fundit, të cilat sipas akteve noteriale hynë në projekt me kontribute “në para”, lidhen nga hetuesit me dyshimet për futjen e parave të trafikut të kokainës në ndërtim (përfshirë verifikimet ndaj operatorëve ekonomikë të shtetasit Isa Aliu).
Detaji që e bën edhe më të dyshimtë këtë ndarje është lidhja e drejtpërdrejtë mes partnerëve: “Brain VP” e ka selinë ngjitur me “Anchor Investments”, në të njëjtin kat dhe të njëjtën godinë, ndërsa administratori dhe ortaku i vetëm i “Brain VP”, Vasil Pelini, është njëkohësisht administrator edhe i “Anchor Beton” — kompanisë së betonit të grupit të Kollçakut.
Kështu, ndërsa drejtësia po zbardh prapaskenat e mesazhit 1 milion eurosh në emër të Edi Ramës, për Ardi Kollçakun pyetja më e rëndë mbetet ajo e dosjes së SPAK-ut: nga rrodhën paratë që ngritën kullën në “Xhanfize Keko” dhe sa lart do të shkojë hetimi mbi perandorinë e tij të ndërtimit.