Një ngjarje që mund të kishte përfunduar në tragjedi është regjistruar pasditen e sotme në zonën e Currilave në Durrës, ku disa pllaka dekorative të fasadës së një pallati shumëkatësh janë shkëputur nga kati i 10-të dhe kanë rënë mbi një automjet të parkuar dhe në trotuar.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur materialet përplasen me pjesën e përparme të makinës. Vetëm pak çaste më parë, në të njëjtin trotuar kishte kaluar një vajzë e re, e cila fatmirësisht nuk është prekur nga pllakat që ranë nga lartësia.
Rreziku ishte edhe më i madh për shkak të vendndodhjes së pallatit. Bëhet fjalë për një nga zonat më të frekuentuara të Durrësit, në rrugën e Currilave, vetëm pak metra larg Universitetit “Aleksandër Moisiu”, ku çdo ditë kalojnë qindra studentë dhe qytetarë.
Administratori dhe njëkohësisht banor i pallatit, Flamur Balaj, thotë se prej vitesh ka paralajmëruar banorët dhe njësinë administrative për rrezikun që paraqesin këto materiale dekorative, të cilat, sipas tij, janë dëmtuar nga ekspozimi ndaj jodit të detit dhe rrezikojnë të shkëputen.
Ai tregon se edhe vetë ndodhej pranë godinës në momentin e incidentit dhe kërkon ndërhyrjen e Bashkisë Durrës për çmontimin e materialeve të rrezikshme, përpara se të ndodhë një tragjedi.
Pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur policia, zjarrfikësja dhe ambulanca, ndërsa zona është rrethuar me shirit sigurie.
Fatmirësisht, këtë herë nuk pati të lënduar, por pamjet tregojnë se sa të rrezikshme mund të jenë këto situata për jetën e kalimtarëve. Një ndërhyrje parandaluese nga institucionet përgjegjëse është e domosdoshme, që një incident i tillë të mos kthehet në një fatkeqësi me pasoja të pakthyeshme.