Një qytetar nga Tirana ka ngritur shqetësimin për zgjerimin e varrezave të Sharrës, duke treguar se varrimet po kryhen në një terren që më parë ka qenë moçalor, me ujëra të grumbulluara dhe mbetje.
Përmes një videoje të dërguar në redaksinë tonë, ai tregon gjendjen e terrenit pranë varreve, ku duken toka të lagështa, baltë dhe një sipërfaqe e parregullt. Sipas tij, kjo zonë deri pak kohë më parë shërbente si vendgrumbullim mbetjesh dhe kishte probleme me ujërat.
Qytetari tregon se vetëm një muaj më parë ka varrosur një të afërm në këtë pjesë të varrezave, ndërsa sot ngre pikëpyetje serioze mbi kushtet në të cilat po kryhen varrimet.
“Deri para pak kohësh këtu kishte plehra, kundërmonte dhe ishte moçal. Tani në këtë vend po varrosen njerëz. A ka projekt? A janë bërë studimet përkatëse? A funksionon shteti dhe a ka institucione që kontrollojnë se ku po prehen të afërmit tanë?”, shprehet ai i revoltuar.
Qytetari kërkon ndërhyrjen e Bashkisë së Tiranës dhe verifikimin urgjent nga institucionet përgjegjëse, për të sqaruar nëse kjo hapësirë është studiuar dhe nëse plotëson kushtet teknike, mjedisore dhe higjieno-sanitare për t'u përdorur si parcelë varrimi.
Kush e ka miratuar zgjerimin e varrezave në këtë terren? A ekziston një projekt dhe a janë kryer kontrollet e nevojshme përpara se të niste kryerja e varrimeve?
Qytetari kërkon transparencë dhe përgjegjësi, pasi shqetësimi i tij është se, nëse problemet me ujërat dhe terrenin nuk zgjidhen, varret e të afërmve të tyre mund të përballen me përmbytje.