Një lajm i mirë vjen vetëm pak orë pasi JOQ Albania publikoi apelin e familjes për gjetjen e Taulant Çekrezit, me të cilin kishin humbur kontaktet.
Taulanti, i cili jeton me nënën e tij në Kavajë dhe ka probleme të shëndetit mendor, është gjetur në zonën e Shkozetit në Durrës, pranë xhamisë Riza Bajrami.
Një qytetar i quajtur Albert, i cili e ka hasur rastësisht, nuk është mjaftuar vetëm me faktin që e ka gjetur. Ai ka bërë një gjest për t'u vlerësuar, duke e marrë Taulantin me makinën e tij dhe duke e shoqëruar deri në banesën e tij në Kavajë, pranë familjes.
Qytetari i ka dërguar redaksisë së JOQ Albania edhe një fotografi me Taulantin, duke konfirmuar se e kishte dërguar shëndoshë e mirë në shtëpi.
Gjestet e tilla tregojnë se solidariteti dhe humanizmi janë ende gjallë. Një falënderim i veçantë për Albertin, i cili nuk qëndroi indiferent dhe u kujdes që Taulanti të kthehej pranë njerëzve të tij.
Një lajm i mirë dhe një histori që na kujton se ndonjëherë mjafton një gjest njerëzor për të bërë një familje të lumtur!