“Më nxorën fajtore mua”, qytetarja nga Durrësi pyet publikun: Kush e ka fajin këtu?

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 19.11.2026, 00:17

Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një ngjarje të ndodhur në Durrës, ku pas një përplasjeje mes dy automjeteve, përgjegjësia për aksidentin i është atribuar asaj nga Policia Rrugore.

Qytetarja ka dërguar në redaksi edhe pamjet e një kamere sigurie, të cilat tregojnë lëvizjen e automjeteve në rrugë në momentin e ngjarjes.

Sipas saj, ajo ishte duke kryer manovrën për t'u parkuar, kur drejtuesja e një automjeti tjetër e ka parakaluar. Denoncuesja pretendon se kjo e fundit ka krijuar gjithashtu rrezik për një automjet që po vinte nga korsia e kundërt.

Megjithatë, pas mbërritjes së policisë, gjoba është vendosur ndaj saj. Në procesverbalin që qytetarja ka vënë në dispozicion të redaksisë, shkelja është përcaktuar si ndryshim drejtimi, korsie ose kryerje e manovrave të tjera, me një masë administrative prej 2,000 lekësh.

Në shënimet e procesverbalit thuhet se drejtuesja ka kryer një manovër të gabuar gjatë lëvizjes mbrapa për t'u parkuar, pa u siguruar, duke shkaktuar dëme materiale në automjetin tjetër.

Qytetarja kundërshton përgjegjësinë që i është atribuar dhe thotë se dëmi i shkaktuar në automjetin tjetër është mbuluar nga siguracioni i saj. Megjithatë, ajo kërkon që pamjet të shqyrtohen dhe të sqarohet nëse vërtet ishte ajo përgjegjësja e përplasjes.

Për këtë arsye, qytetarja i drejtohet edhe publikut të JOQ Albania, duke kërkuar mendimin e qytetarëve për dinamikën e ngjarjes.

Po ju, pasi të shihni videon, kush mendoni se e ka fajin në këtë rast? Drejtuesja që po kryente manovrën e parkimit apo drejtuesja e automjetit tjetër që po e parakalonte? Ndani mendimin tuaj në komente!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit