Gaza po përballet me një tjetër goditje humanitare, këtë herë nga stuhitë e para të dimrit. Kampet ku janë strehuar mijëra palestinezë të zhvendosur janë përmbytur, ndërsa fëmijë dhe të moshuar detyrohen të kalojnë ditët mes ujit, baltës dhe tendave të shkatërruara. Dyshekët janë lagur, sendet personale janë dëmtuar dhe strehimet e improvizuara nuk arrijnë t'i mbrojnë familjet as nga shiu.
Pamjet e mbërritura në redaksinë tonë tregojnë realitetin e rëndë në terren: fëmijë zbathur që ecin nëpër ujë, prindër që nxjerrin ujin me kova dhe banorë që përpiqen të ndërtojnë barriera me dhe për të shpëtuar atë pak që u ka mbetur. Në disa prej tendave, plastika është grisur dhe uji depërton drejtpërdrejt brenda, duke i lënë familjet pa një strehë të sigurt në prag të dimrit.
Dhe ndërsa njerëzit përpiqen të mbijetojnë në këto kushte, rreth 150 mijë tenda dhe furnizime jetike për dimrin mbeten të bllokuara në kufi. Britania e Madhe, Australia, Kanadaja dhe Italia i kanë kërkuar Izraelit të lejojë hyrjen e menjëhershme të ndihmave, duke e cilësuar situatën humanitare në Gaza si tejet të rëndë.
Sipas agjencive të OKB-së, mijëra persona të zhvendosur janë prekur nga përmbytjet e shkaktuara prej stuhisë së parë të dimrit. Katër vendet paralajmërojnë se koha po mbaron dhe kërkojnë që furnizimet të shpërndahen në të gjithë Gazën pa pengesa, përpara se kushtet atmosferike të përkeqësohen.
Për njerëzit që kanë humbur shtëpitë dhe jetojnë në tenda të improvizuara, dimri nuk është thjesht një ndryshim stine. Është një tjetër betejë për të siguruar strehë, ngrohtësi dhe mbrojtje për fëmijët e tyre, ndërsa ndihmat që mund t'u lehtësonin këto kushte ende nuk kanë mbërritur.