As shiu nuk i ndal studentët dhe të rinjtë, vijojnë protestën para Kryeministrisë me çadra

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 10.11.2026, 19:12

As reshjet e shiut nuk i kanë ndalur studentët dhe të rinjtë që prej ditësh vijojnë protestën para Kryeministrisë në Tiranë. Pavarësisht motit të keq, protestuesit janë rikthyer dhe kanë qëndruar në shesh, këtë herë të pajisur me çadra për t'u mbrojtur nga shiu.

Të rinjtë kanë zgjedhur të mos tërhiqen përballë kushteve atmosferike, duke vijuar qëndrimin e tyre kundër klasës politike dhe duke kërkuar ndryshime në drejtimin e vendit.

Protesta e studentëve dhe qytetarëve është pjesë e një lëvizjeje më të gjerë kundër klasës politike 36-vjeçare, ku kërkesat për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe refuzimi i dialogut me të kanë qenë ndër mesazhet kryesore të përcjella në tubimet e fundit.

Gjatë ditëve të fundit, studentët kanë bërë të qartë se duan ta ruajnë karakterin e pavarur të protestës, pa e kthyer atë në një tubim të partive politike. Ata kanë vijuar të dalin në shesh edhe pas përplasjeve të 7 nëntorit dhe pavarësisht thirrjeve të përsëritura të qeverisë për dialog.

Pamjet e sotme tregojnë se reshjet nuk kanë mjaftuar për t'i larguar nga protesta. Me çadrat në duar, studentët dhe të rinjtë vijojnë të qëndrojnë përpara godinës së Kryeministrisë, duke treguar se moti i keq nuk i ka ndryshuar vendosmërinë për të përcjellë kërkesat e tyre.

Protestuesit kanë paralajmëruar vijimin e tubimeve edhe në ditët në vazhdim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit