Kombëtarja shqiptare nis sot rrugëtimin drejt dy ndeshjeve të fundit të Nations League, por këtë herë grumbullimi do të ketë një atmosferë ndryshe. Trajneri Rolando Maran ka vendosur që stërvitja e parë e kuqezinjve të jetë e hapur për publikun, duke u dhënë tifozëve mundësinë të qëndrojnë pranë skuadrës në prag të dy sfidave vendimtare.
Tekniku italian kërkon që lojtarët të ndiejnë mbështetjen e tifozëve që në ditën e parë të përgatitjeve. Për Maran, lidhja mes Kombëtares dhe mbështetësve është një element thelbësor, ndaj ka zgjedhur të nisë grumbullimin duke afruar edhe më shumë publikun me futbollistët.
“Dëshirojmë të krijojmë një sinergji mes tifozëve, ekipit, lojtarëve dhe të gjithë atyre që e duan këtë fanellë. Në fund të fundit, ata janë motori dhe energjia e kësaj skuadre”, është shprehur Maran.
Ky vendim vjen në një moment delikat për kuqezinjtë, të cilët kanë në duart e tyre mundësinë për të siguruar vendin e parë në Grupin C1. Shqipëria renditet në krye me 9 pikë dhe dy takimet e fundit do të përcaktojnë përfundimisht fatin e saj në këtë edicion të Ligës së Kombeve.
Sfida e parë do të jetë kundër Finlandës, më 12 nëntor, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”. Më pas, më 15 nëntor, kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Budapestit, ku do të përballen me Bjellorusinë në orën 18:00.
Dy përballje që vlejnë shumë për Shqipërinë, ndërsa Maran kërkon ta nisë këtë mision me një mesazh të qartë: Kombëtarja dhe tifozët duhet të jenë një.