Të dhëna të reja po dalin në dritë për të kaluarën e Robert Dukës, 50-vjeçarit nga Vlora që u arrestua si i dyshuar për grabitjen e një banke në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, prej nga u morën rreth 60 mijë euro.
Sipas informacioneve të publikuara, Duka ka qenë më herët nën akuzë në Greqi, ku dyshohej si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kishte kryer grabitjen e 28 bankave në vendin fqinj.
Edhe këtë herë, lëvizjet e tij kishin tërhequr vëmendjen e agjentëve të policisë. Ai dyshohet se ishte mbajtur prej disa ditësh nën vëzhgim, ndërsa hetuesit kishin informacione se mund të largohej sërish drejt Greqisë.
Një tjetër detaj i bërë publik lidhet me jetën e tij familjare: bashkëshortja e 50-vjeçarit punon në një tjetër bankë të nivelit të dytë.
Duka u arrestua pas hetimeve për grabitjen e ndodhur më 2 nëntor në kryeqytet, ku autori, i maskuar dhe i armatosur, kërcënoi punonjësit e bankës dhe arriti të marrë 60 mijë euro, përpara se të largohej me monopatinë elektrike.
Por hetimet nuk janë mbyllur me këtë episod. Policia po verifikon nëse 50-vjeçari mund të ketë lidhje edhe me grabitje të tjera, ndërsa e kaluara e tij në Greqi pritet të jetë një prej elementeve që do të shqyrtohen në vijim të hetimit.