Një denoncim i ri i mbërritur nga një qytetar anonim ngre përsëri alarmin për sigurinë publike, këtë herë në qytetin e Beratit, pranë ambienteve të spitalit.
Siç shihet qartë në pamje, një kabllo elektrike e shkëputur nga shtylla varet rrezikshëm mes për mes rrugës dhe trotuarit, ku kalojnë çdo ditë me dhjetëra pacientë, të moshuar e familjarë. Kablloja zgjatet deri poshtë, duke u rrokullisur fare pranë makinave të parkuara dhe duke u kthyer në një kurth mortor për cilindo që mund ta prekë apo të pengohet aksidentalisht.
Kjo situatë skandaloze bëhet akoma më e rëndë kur ndodh në një zonë me fluks të lartë lëvizjeje siç është afërsia e spitalit, ku kujdesi për sigurinë duhet të jetë maksimal. Lënia e linjave elektrike të shkëputura pa asnjë sinjalistikë paralajmëruese apo ndërhyrje urgjente tregon një papërgjegjshmëri të plotë nga ana e grupeve të mirëmbajtjes.
Banorët kërkojnë që organet kompetente të ndërhyjnë menjëherë për izolimin dhe largimin e këtij rreziku, përpara se një tjetër pakujdesi të kthehet në tragjedi.