Detaje të reja janë zbardhur nga zjarri në Elbasan ku një grua 83-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit të fuqishëm që tronditi një pallat 5-katësh, ndërsa një 69-vjeçar rezulton ende i zhdukur. Forcat e emergjencës vijojnë kërkimet për gjetjen e tij, mes rrënojave të ndërtesës së dëmtuar rëndë.
Bilanci i deritanishëm raportohet të jetë 10 persona të transportuar në spital, të cilët kanë marrë ndihmë dhe janë nën kujdesin mjeksor.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme të rënda në strukturën e pallatit, ku një pjesë e katit të katërt është shembur mbi katin e tretë. Po ashtu, janë dëmtuar edhe shkallët lidhëse mes kateve të treta dhe të pesta, duke vështirësuar ndërhyrjen dhe lëvizjen brenda ndërtesës.
Paraprakisht bëhet me dije se zjarri ka nisur në katin e tretë, i cili më pas është përhapur në pjesë të tjera të pallatit. Në momentin e ngjarjes, 83-vjeçarja ndodhej në katin e pestë, ndërsa ende nuk ka informacion mbi vendndodhjen e 69-vjeçarit.
Për shkak të dëmtimeve të rënda strukturore, pallati është shpallur i pabanueshëm. Situata mbetet shqetësuese, ndërsa vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi.