Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Godvi të Bulqizës, ku një ditë më parë humbi jetën 61-vjeçari Urim Fiku. Ajo që fillimisht u raportua si një sulm fatal nga një ari ka rezultuar të jetë një vrasje e dyshuar brenda familjes.
Nga hetimet dhe ekzaminimet mjekoligjore ka rezultuar se 61-vjeçari nuk kishte humbur jetën nga sulmi i një kafshe të egër, por ishte vrarë me armë zjarri. Për ngjarjen janë arrestuar bashkëshortja e tij, Sadete Fiku, 57 vjeçe, dhe djali, Gazmir Fiku, 33 vjeç, të dy banues në fshatin Godvi.
Sipas Policisë, dy familjarët dyshohet se kanë bashkëpunuar për të vrarë 61-vjeçarin, duke përdorur armë zjarri dhe mjete të forta prerëse. Dyshimet për një sulm nga një ari ishin ngritur fillimisht nga vetë familjarët, por hetimet e mëtejshme kanë zbuluar një tjetër version të ngjarjes.
Gjatë kontrolleve dhe veprimeve hetimore, uniformat blu kanë sekuestruar një pistoletë të modelit 54, fishekë dhe një gëzhojë pistolete, e cila është gjetur në oborrin e banesës.
Hetimet janë zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë, ndërsa deri më tani nuk janë bërë të ditura motivet që mund të kenë çuar në vrasjen e 61-vjeçarit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, të kryera në bashkëpunim.