Kapen 10 ton kokainë në Spanjë, lënda narkotike i përket një bande shqiptare

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 02.11.2026, 17:55

Autoritetet spanjolle kanë realizuar një nga sekuestrimet më të mëdha të drogës në historinë e vendit, duke zbuluar afro 10 ton kokainë në dy magazina në zonën industriale “El Labradorcico”, në qytetin bregdetar Águilas.

Sipas informacioneve paraprake të Gardës Civile, magazinat dyshohet se përdoreshin si qendër logjistike nga një organizatë kriminale me origjinë shqiptare.

Ajo që e bëri të mundur zbulimin e kësaj sasie gjigante droge nuk ishte një operacion i mirëfilltë policor, por një incident i shkaktuar nga pakujdesia. Mediat spanjolle raportojnë se një punëtor, teksa po lëvizte paletat me një pirun ngritës, përmbysi aksidentalisht njërën prej tyre. Nga paleta e dëmtuar dolën pakot me kokainë, ndërsa punëtori, i përfshirë nga paniku, u largua nga magazina.

Pas këtij incidenti, Garda Civile ndërhyri në ambientet e magazinës, ku zbuloi fillimisht mbi 5 ton kokainë të paketuar. Më pas, me autorizim gjyqësor, agjentët kontrolluan edhe një magazinë të dytë në afërsi, ku gjetën një tjetër sasi të konsiderueshme droge. Në total, sasia e sekuestruar arriti në afro 10 ton kokainë, me një vlerë të përllogaritur nga 130 deri në 145 milionë euro.

Sipas hetimeve paraprake, dy magazinat shërbenin si një nyje e rëndësishme logjistike për trafikun ndërkombëtar të drogës. Kokaina dyshohet se transportohej nga Amerika Latine drejt Spanjës, ku depozitohej, paketohej dhe më pas shpërndahej me kamionë drejt vendeve të Evropës Qendrore dhe Veriore.

Hetuesit po përpiqen tashmë të zbardhin të gjithë strukturën e këtij rrjeti dhe të identifikojnë personat që qëndrojnë pas aktivitetit kriminal. Në fokus janë pamjet e kamerave të sigurisë, dokumentacioni i bizneseve që lidhen me magazinat dhe gjurmët e transportit të ngarkesave.

Ndërkohë, zona industriale ku u zbulua sasia rekord e kokainës vijon të jetë nën masa të shtuara sigurie, ndërsa autoritetet spanjolle po thellojnë hetimet për të zbuluar të gjithë personat e përfshirë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit