Një tjetër letër e dhimbshme e Arlinda Zekajt, e cila u vra tragjikisht nga ish-kunati i saj, Albert Sylaj, është bërë publike këtë të diel, një javë pas krimit që tronditi Kosovën.
Letra, e publikuar nga Natyra Kuçi, i ishte drejtuar gjyqtarit Migjen Kastrati më 7 shtator 2026. Në të, Arlinda i lutej gjykatësit që të gjente kohë për të shqyrtuar kërkesën e saj për urdhër mbrojtjeje, si dhe për të vendosur lidhur me kujdestarinë e djalit të saj.
“Për ju është rutinë, për mua është jetë dhe veç Zoti e di pse ty të ka zgjedhë të shpëtosh jetë”, shkruante Arlinda në letrën e saj, fjalë që sot marrin një kuptim edhe më tragjik.
Publikimi i kësaj letre ka rikthyer pikëpyetjet mbi mënyrën se si institucionet e drejtësisë i kanë trajtuar kërkesat për mbrojtje të së ndjerës dhe nëse tragjedia mund të ishte parandaluar.
Për vrasjen e Arlindës është arrestuar ish-kunati i saj, Albert Sylaj, ndërsa në pranga ka përfunduar edhe ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj. Ndaj të dyve është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Rasti ka shkaktuar reagime dhe protesta të shumta në Kosovë, ndërsa publikimi i letrave të Arlindës ka shtuar kërkesat për llogaridhënie institucionale.
Një grua kërkonte mbrojtje sa ishte gjallë. Sot, letrat e saj mbeten dëshmi e frikës dhe thirrjeve për ndihmë që ajo kishte drejtuar institucioneve.
