Gjashtë persona kanë përfunduar në pranga pas akteve të dhunës të regjistruara gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme në kryeqytet. Tre të tjerë janë vënë nën hetim, ndërsa dy persona janë shpallur në kërkim nga Policia.
Sipas hetimeve, gjatë tubimit protestuesit kanë kundërshtuar dhe sulmuar punonjësit e Policisë duke përdorur sende të forta, mjete piroteknike, bomba molotov, si dhe sfera e vida metalike. Gjithashtu, janë bllokuar rrugët dhe janë djegur kazanë mbeturinash.
Në kuadër të hetimeve, në bashkëpunim me Prokurorinë, u arrestuan shtetasit me iniciale A. Sh., 26 vjeç, L. K., 18 vjeç, F. Ç., 38 vjeç, K. R., 35 vjeç, shtetas i huaj, si dhe dy të mitur.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga uniformat blu, shtetasve L. K. dhe A. Sh. iu gjetën dhe sekuestruan bomba molotov.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të identifikuar personat e tjerë që mund të kenë marrë pjesë në aktet e dhunshme dhe për të dokumentuar plotësisht përgjegjësitë e secilit prej tyre.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për disa vepra penale, mes të cilave: vrasja e punonjësit të Policisë, e mbetur në tentativë, organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishja e qetësisë publike, kundërshtimi i punonjësit të Policisë, shkelja e rregullave për lëndët plasëse dhe djegëse, pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit, shkatërrimi i pronës me zjarr, si dhe mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit.