Një lajm i hidhur ka prekur komunitetin shëndetësor në Kosovë. Është ndarë nga jeta Leonard Kurti, specialist i Biokimisë Klinike dhe drejtor i Klinikës së Biokimisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Oda e Farmacistëve të Kosovës, e cila ka shprehur ngushëllime dhe mirënjohje për punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e tij ndër vite.
Në reagimin e saj, Oda ka vlerësuar Kurtin si një profesionist të respektuar, i cili do të kujtohet për korrektësinë, bashkëpunimin dhe gatishmërinë për të ndihmuar kolegët.
Veçanërisht e dhimbshme është se Leonard Kurti ka lënë pas dy djem të vegjël, të moshës 2 dhe 6 vjeç.
Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje të madhe për familjen, kolegët dhe gjithë komunitetin shëndetësor të Kosovës.
JOQ Kosova u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të të ndjerit.