Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha, është arrestuar nën dyshimin për dhunë në familje, pasi dyshohet se ka kërcënuar bashkëshorten e tij.
Sipas informacioneve të publikuara, Berisha dyshohet se e ka kërcënuar bashkëshorten duke i thënë se do t'i ndodhte e njëjta gjë si Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Kosovë.
Rasti ka shkaktuar shqetësim, veçanërisht për faktin se i dyshuari mban postin e drejtuesit të një institucioni publik shëndetësor. Ngjarja vjen në një kohë kur në Kosovë po zhvillohen protesta të shumta kundër dhunës ndaj grave dhe po kërkohet përgjegjësi nga institucionet.
Kujtojmë se Arlinda Zekaj u vra në Vitomiricë të Pejës, ndërsa për vrasjen e saj është arrestuar ish-kunati, Albert Sylaj. Viktima kishte denoncuar më parë ish-bashkëshortin për dhunë në familje dhe kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet.
Ende nuk janë bërë të ditura detaje të tjera zyrtare për rrethanat e arrestimit të drejtorit të Spitalit të Mitrovicës dhe masat e mëtejshme ndaj tij.
Çështja pritet të trajtohet nga organet kompetente të drejtësisë, ndërsa Gëzim Berisha gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar gjyqësor.