Një vjedhje e rëndë është raportuar në qytetin e Gjakovës, ku persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë grabitur mbi 100 armë zjarri nga një depo në rrugën “Fehmi Agani”.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja është denoncuar më 30 tetor, rreth orës 18:00, nga dy qytetarë kosovarë.
Nga informacionet e para bëhet e ditur se persona të panjohur kanë hyrë në ambientet e depos dhe kanë marrë më shumë se 100 armë zjarri, ndërsa deri më tani nuk është bërë e ditur se kush qëndron pas kësaj vjedhjeje.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, ndërsa për rastin është njoftuar edhe prokurori kompetent.
Vjedhja e një sasie kaq të madhe armësh ngre shqetësime serioze për sigurinë dhe rrezikun që ato mund të përfundojnë në duart e grupeve kriminale.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.