Mijëra italianë në rrugë kundër qeverisë Meloni, protesta masive dhe përplasje me policinë!

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 31.10.2026, 02:14

Dhjetëra mijëra qytetarë dolën në rrugët e Italisë të premten, më 30 tetor, në kuadër të një greve të përgjithshme 24-orëshe të thirrur nga sindikata USB. Protestat u zhvilluan në mbi 40 qytete të vendit, ku në rrugë u bashkuan punonjës, studentë, aktivistë dhe pensionistë, të pakënaqur me situatën ekonomike dhe politikat e qeverisë së Giorgia Melonit.

Protestuesit kërkuan rritjen e pagave dhe pensioneve, përmirësimin e shërbimeve publike dhe masa kundër rritjes së kostos së jetesës. Një tjetër kërkesë kryesore ishte kundërshtimi i rritjes së shpenzimeve ushtarake dhe militarizimit, si dhe përdorimit të porteve italiane për transportin e armëve drejt zonave të konfliktit.

Në Romë, protesta u shoqërua me momente të forta tensioni pranë Koloseut. Një grup personash, disa prej tyre të maskuar, u shkëput nga marshimi kryesor dhe u përplas me forcat e policisë në zonën e rrugës Via Claudia. Protestuesit hodhën gurë, shishe qelqi dhe mjete piroteknike në drejtim të efektivëve, ndërsa përmbysën kazanë mbeturinash dhe u vunë flakën atyre.

Policia reagoi me gaz lotsjellës dhe ndërhyrje për shpërndarjen e grupit. Më vonë, tensionet u zhvendosën drejt zonës së Ponte Sisto, ku një grup tjetër protestuesish tentoi të afrohej drejt Parlamentit. Efektivët përdorën autobotë me ujë për të shpërndarë turmën, ndërsa tetë persona u ndaluan në Romë.

Përplasje pati edhe në Torino, ku policia përdori autobotë me ujë dhe ndërhyri ndaj studentëve dhe aktivistëve që iu afruan kordonit të sigurisë pranë ndërtesës së Prefekturës. Në Milano, protestuesit marshuan në autostradën unazore të qytetit, ndërsa në Bolonjë demonstruesit bllokuan qarkullimin në unazën rrugore.

Një prej tubimeve më të mëdha u zhvillua në Gjenova, ku rreth 15 mijë punonjës portualë, studentë dhe aktivistë u mblodhën në zonën e portit, duke kundërshtuar transportin e armëve dhe përfshirjen e infrastrukturës portuale në operacionet ushtarake.

Megjithëse pjesa më e madhe e demonstratave në vend u zhvillua në mënyrë paqësore, incidentet në disa qytete dhe përplasjet me policinë shoqëruan këtë ditë greve, e cila u bë pjesë e valës së protestave që kishte përfshirë Italinë gjatë javëve të fundit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit