Kreditimi Rural i Kosovës (KRK) ka marrë vendim për faljen e plotë të borxhit të kredisë që kishte në emër të saj Arlinda Zekaj, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Përmes një njoftimi publik, KRK ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas shqyrtimit të rrethanave dhe vlerësimit të rastit tragjik që tronditi opinionin publik në Kosovë.
Institucioni financiar ka konfirmuar se borxhi do të falet në tërësi dhe se do të ndërmerren të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe financiare për zbatimin e këtij vendimi.
Kujtojmë se Arlinda Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj, Albert Sylaj, pavarësisht se më herët kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet përgjegjëse.
Vrasja e saj shkaktoi reagime të shumta dhe ngriti pikëpyetje serioze mbi dështimin e mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e grave nga dhuna.
Me vendimin e KRK-së, borxhi i kredisë së Arlinda Zekajt shuhet plotësisht, duke hequr një barrë financiare të mbetur pas vdekjes së saj tragjike.