Detaje të rënda janë zbardhur nga dosja e Prokurorisë për vrasjen e Arlinda Zekajt, më 25 tetor, në Vitomiricë të Pejës. Sipas organit të akuzës, Albert Sylaj dyshohet se vrau ish-kunatën e tij për hakmarrje, pasi ajo kishte denoncuar në Polici ish-bashkëshortin, Jeton Sylajn, vëllain e të dyshuarit.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Arlinda ishte kthyer në banesë pasi kishte raportuar dhunën në familje në stacionin policor të Pejës. Pas arrestimit të vëllait të tij, Albert Sylaj dyshohet se ka marrë një sëpatë dhe ka hyrë në dhomën e gjumit të viktimës.
Arlinda ka tentuar të fshihet pas derës për t'i shpëtuar sulmit, por sipas Prokurorisë, i dyshuari e ka goditur disa herë me sëpatë në pjesë të ndryshme të trupit, kryesisht në kokë, duke i shkaktuar vdekjen në vend.
Një tjetër detaj shqetësues nga dosja është e kaluara penale e Albert Sylajt. Prokuroria ka bërë të ditur se ai ishte dënuar më parë me katër aktgjykime të formës së prerë.
Pas krimit, i dyshuari qëndroi në arrati nga data 25 deri më 27 tetor. Prokuroria kërkoi paraburgimin e tij, duke argumentuar se ekziston rreziku i arratisjes, ndikimit te dëshmitarët, fshehjes së provave dhe përsëritjes së veprës penale.
Këtë të mërkurë, më 28 tetor, Gjykata e Pejës ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Albert Sylajt.
Arlinda Zekaj kishte kërkuar ndihmën e institucioneve për t'u mbrojtur nga dhuna, por vetëm pak kohë pas denoncimit në Polici, ajo humbi jetën. Rasti ka rikthyer shqetësimin për sigurinë e grave që denoncojnë dhunën në familje dhe efektivitetin e mbrojtjes që u ofrohet nga institucionet.