Itali: Dhunuan një person dhe i vodhën celularin, arrestohet shqiptari dhe procedohet bashkatdhetarja e tij

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 28.10.2026, 20:36

Një 43-vjeçar shqiptar është arrestuar në Piacenza të Italisë, pasi dyshohet se së bashku me dy persona të tjerë ka dhunuar një qytetar dhe i ka marrë telefonin celular.

Ngjarja ka ndodhur gjatë natës mes 27 dhe 28 tetorit, pranë parkimit të një biznesi në rrugën Conciliazione. Sipas rindërtimit të ngjarjes nga hetuesit, viktima është sulmuar nga tre persona, mes tyre 43-vjeçari shqiptar, një grua shqiptare dhe një 69-vjeçar italian. Gjatë agresionit, qytetari ka mbetur i dëmtuar në fytyrë, ndërsa autorët e dyshuar i kanë marrë edhe telefonin.

Ndërhyrja e punonjësve të sigurisë private të kompanisë Sicuritalia rezultoi vendimtare për identifikimin dhe ndalimin e personave të përfshirë. Ata njoftuan policinë dhe arritën të lokalizonin të dyshuarit, të cilët u gjetën më pas në rrugën Manzoni, ku ndërhynë efektivët e policisë dhe karabinierët.

Gjatë kontrolleve, tre personave iu gjet një telefon celular blu, të cilin viktima e njohu si të vetin. Pajisja iu kthye pronarit, ndërsa ky i fundit mori ndihmë mjekësore për dëmtimet e pësuara.

Pas verifikimeve në komisariat, 43-vjeçari shqiptar u arrestua nën akuzën e grabitjes në bashkëpunim dhe u vendos në arrest shtëpie. Ndërkohë, gruaja shqiptare dhe 69-vjeçari italian u proceduan penalisht në gjendje të lirë për të njëjtën vepër penale.

Hetimet dhe procedurat ligjore do të përcaktojnë përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë në ngjarje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit