Qeveria kalon Aktin Normativ: Fshirje postimesh në rrjete sociale dhe gjoba deri në 500 mijë lekë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 28.10.2026, 19:03

Qeveria ka miratuar me procedurë urgjente një Akt Normativ me fuqinë e ligjit që ndryshon rrënjësisht rregullat për organizimin e tubimeve në Shqipëri, duke shtrënguar maksimalisht masat ndaj protestuesve dhe organizatorëve.

Vendimi i firmosur nga Kryeministri Edi Rama i jep kompetenca të zgjeruara Policisë së Shtetit për të bllokuar protestat pranë institucioneve, për të larguar persona të caktuar nga zona publike, si dhe për të ndërhyrë deri në rrjetet sociale për fshirjen e mesazheve që konsiderohen me "thirrje për dhunë".

Perimetër sigurie deri në 72 orë dhe largim nga zonat e mbrojtura

Sipas ndryshimeve në ligjin nr. 8773 "Për tubimet":

  • Ndalim protestash rreth institucioneve: Drejtuesi i policisë vendore, me miratimin e prefektit, mund të ndalojë ose kufizojë tubimet rreth institucioneve arsimore, shëndetësore apo shtetërore për deri në 72 orë, nëse vlerëson se ka rrezik real për dhunë apo dëmtim prone.

  • Urdhër largimi 48-orësh: Efektivët e policisë marrin të drejtën të nxjerrin urdhër të shkruar largimi (deri në 48 orë) nga stacionet e transportit, aeroportet, shkollat e zonat kulturore për çdo person që ushtron presion, kanosje apo pengon aksesin.

Policia kontroll mbi mediat sociale dhe filim të protestave

Një nga pikat më debatuara të aktit normativ është ndërhyrja në komunikimet digjitale:

  • Mesazhet në rrjete sociale: Policia e Shtetit, pasi të identifikojë llogaritë ose numrat e telefonit që shpërndajnë thirrje për dhunë, do t'u dërgojë mesazh mbajtësve duke i kërkuar fshirjen e menjëhershme të përmbajtjes. Në rast refuzimi, ndaj tyre do të ndërmerren masa ligjore.

  • Regjistrim audiovizual: Çdo paralajmërim për shpërndarje tubimi apo akt dhune do të incizohet me mjetet e policisë dhe do të përdoret si provë ligjore.

Fatura e re e penaliteteve: Gjobat "fluturojnë" deri në 500 mijë lekë

Sanksionet financiare për pjesëmarrësit dhe organizatorët janë shumëfishuar:

  • Pjesëmarrja në tubim të ndaluar ose mosbindja: Gjobë nga 10,000 deri në 100,000 lekë.

  • Protestuesit me maska/identitet të fshehur: Mosbindja ndaj urdhrit të policisë kur personi ka fytyrën e mbuluar dënohet me gjobë nga 50,000 deri në 500,000 lekë. (Fshehja e identitetit lejohet vetëm për arsye shëndetësore, fetare ose profesionale, përfshirë gazetarët).

  • Bllokimi i rrugëve: Çdo person që merr pjesë në bllokimin e akseve rrugore do të gjobitet me 5,000 lekë për çdo ditë bllokimi.

Akti normativ hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa vendimet e policisë për kufizimin e tubimeve mund të ankimohen brenda 48 orëve në Gjykaten Administrative, pa pezulluar zbatimin e tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit