Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor, ka kundërshtuar masën e paraburgimit të caktuar ndaj tij nga Gjykata Themelore në Pejë.
Gjatë seancës dëgjimore, Sylaj ka kërkuar të lihet i lirë, duke u arsyetuar se ka një djalë 12-vjeçar që ka nevojë për kujdesin e tij.
“Kam fëmijën 12-vjeçar që tani s’di ku është, ka nevojë për kujdesin tim”, ka deklaruar ai para gjykatës.
Ai ka shprehur gjithashtu keqardhje për vrasjen e ish-bashkëshortes, duke pretenduar se ishte përpjekur ta parandalonte ngjarjen.
“Ndjej keqardhje për këtë çka ka ndodhur, jam munduar ta parandaloj”, është shprehur Sylaj.
Por deklaratat e tij vijnë në një kohë kur janë bërë publike dëshmitë tronditëse që Arlinda Zekaj kishte dhënë në Polici pak para se të vritej.
Viktima kishte denoncuar kërcënimet e ish-bashkëshortit, i cili, sipas dëshmisë së saj, i ishte drejtuar me fjalët: “Unë të thej, të mbys”.
Madje, Arlinda u kishte bërë një pyetje alarmante efektivëve të Policisë: “A duhet me më vra mua Jetoni që ju policia atëherë ta arrestoni shizofrenin?”
Sipas Prokurorisë, Jeton Sylaj rezulton me gjashtë raste penale të hapura, katër prej të cilave gjatë vitit 2026. Prokuroria ka argumentuar se ekziston rreziku i arratisjes së tij nëse lihet në liri.
Ndërkohë, avokati i Sylajt ka kundërshtuar pretendimet për dhunë fizike ndaj viktimës, duke kërkuar një masë më të lehtë sigurie.
Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur masën e paraburgimit ndaj tij, nën dyshimin për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.
Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e 25 tetorit, ndërsa i dyshuari për vrasjen është ish-kunati i saj, Albert Sylaj.
Ngjarja ka rikthyer në qendër të vëmendjes përgjegjësinë e institucioneve për mbrojtjen e grave që denoncojnë dhunën dhe kërcënimet, pasi Arlinda kishte kërkuar ndihmë nga Policia përpara se të humbiste jetën.
Personat nën hetim konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.