Panik në aeroplanin Prishtinë–Basel: Pasagjeri thyen xhamin e dritares, mjeku kosovar ndërhyn dy herë gjatë fluturimit

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 28.10.2026, 09:25

Momente frike dhe paniku janë përjetuar në fluturimin e kompanisë easyJet nga Prishtina drejt Baselit, mbrëmjen e së hënës, ku dy incidente të njëpasnjëshme kanë shqetësuar pasagjerët në bord.

Ngjarja e parë ka ndodhur rreth 30 minuta pas nisjes nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, kur një grua rreth 40-vjeçare ka përjetuar probleme të rënda shëndetësore, të shoqëruara me aritmi, marramendje dhe sulm paniku.

Ekuipazhi ka kërkuar urgjentisht ndihmën e ndonjë mjeku në bord. Në mesin e udhëtarëve ndodhej neurokirurgu kosovar, dr. Valon Baraliu, i cili punon në Gjermani. Ai, së bashku me një infermiere, i ka ofruar ndihmën e parë gruas, duke arritur ta stabilizojë gjendjen e saj.

Por situata është tensionuar sërish rreth gjysmë ore më vonë, kur një pasagjer rreth 42-vjeçar, shtetas zviceran me prejardhje nga Kosova, dyshohet se ka shfaqur sjellje agresive dhe ka thyer me forcë xhamin e brendshëm të dritares së aeroplanit.

Zhurma e fortë dhe veprimi i papritur kanë shkaktuar panik te udhëtarët, përfshirë familjet me fëmijë.

Ekuipazhi ka kërkuar përsëri ndihmën e mjekut kosovar për të vlerësuar gjendjen e pasagjerit. Sipas dr. Baraliut, personi nuk komunikonte dhe nuk reagonte ndaj pyetjeve, ndërsa shkaqet e sjelljes së tij mbeten të paqarta.

Pasagjeri është mbajtur nën mbikëqyrje deri në uljen e aeroplanit në Basel, ku është marrë në kontroll nga autoritetet e aeroportit.

Pavarësisht dy incidenteve, fluturimi ka vazhduar pa pasur nevojë për ulje emergjente.

Dr. Valon Baraliu ka vlerësuar profesionalizmin e ekuipazhit të easyJet, i cili arriti të mbante situatën nën kontroll.

Një udhëtim që duhej të ishte i zakonshëm u kthye në momente paniku për qindra pasagjerë, ndërsa ndërhyrja e mjekut kosovar ndihmoi në menaxhimin e situatës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit