Studentët nga qytete të ndryshme të Shqipërisë pritet të mblidhen këtë të shtunë, më 24 tetor, përpara Kryeministrisë në Tiranë, në kuadër të protestës kombëtare që shënon ditën e 12-të të lëvizjes studentore. Tubimi pritet të marrë përmasa më të gjera, pasi thirrjes për protestë i janë bashkuar edhe përfaqësues të profesioneve dhe grupeve të ndryshme shoqërore.
Në krah të studentëve kanë dalë pedagogë, mjekë, artistë, sipërmarrës dhe përfaqësues të sindikatave, ndërsa thirrje për mbështetje u janë drejtuar edhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Sipas njoftimeve të organizatorëve, aktivitetet do të zhvillohen përgjatë ditës. Pedagogët pritet të mblidhen në orën 10:00 pranë Universitetit Politeknik, ndërsa punonjësit e artit dhe kulturës janë ftuar të bashkohen në orën 11:00 përpara Kryeministrisë. Protesta kryesore pritet të vijojë në orën 14:00, me bashkimin e grupeve studentore.
Edhe Partia Demokratike ka bërë thirrje për mobilizim, duke u kërkuar strukturave dhe mbështetësve të saj të dalin në mbështetje të studentëve në orën 12:00.
Ndërkohë, organizimi nuk është kufizuar vetëm në kryeqytet. Studentë nga qytete të ndryshme të vendit pritet të udhëtojnë drejt Tiranës për t'iu bashkuar protestës.
Në ditën e 12-të të saj, lëvizja studentore synon të shndërrohet në një mobilizim më të gjerë qytetar, duke bashkuar të rinjtë me profesionistë dhe përfaqësues të shtresave të ndryshme të shoqërisë. Ndër kërkesat e artikuluara nga protestuesit është edhe dorëheqja e kryeministrit, krahas kërkesave për përmirësimin e kushteve të jetesës.