Një skenë prekëse dhe e dhimbshme është regjistruar pak minuta më parë në vendin e ngjarjes ku 46-vjeçari Ismet Habili u gjet i vrarë me armë zjarri brenda automjetit të tij, pranë zonës së stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet.
Në vendngjarje ka mbërritur i tronditur djali i viktimës. Sipas pamjeve të siguruara nga media, 18-vjeçari dëgjohet duke lëshuar thirrje të dhimbshme dhe duke kërkuar të atin, ndërsa tenton të kalojë perimetrin e policisë.
“Ku është plaku? Ku është baba im? Ikni! Ku e kam babën? Ku është babi?” – thërret ai i dëshpëruar, teksa përpiqet të shtyjë personat përreth që përpiqen ta qetësojnë dhe ta mbajnë larg mjetit ku ndodhet trupi i pajetë i të atit.
Forcat e policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat e plota dhe shkaqet e këtij atentati të rëndë.