Sara Khan, aktorja indiane që fitoi zemrat e publikut shqiptar me rolin e Sadnës në serialin e njohur “Bidai”, ka ndarë një mesazh emocionues për Shqipërinë, duke shprehur mbështetjen e saj për qytetarët dhe veçanërisht për të rinjtë që po protestojnë. Lidhja e veçantë që aktorja krijoi me publikun shqiptar ndër vite duket se mbetet e gjallë, edhe pse ka kaluar shumë kohë nga transmetimi i serialit. Shqiptarët e kujtojnë ende me emocion personazhin e Sadnës, ndërsa vdekja e saj në serial u përjetua me një trishtim të madh nga shikuesit, të cilët qanë për fatin e personazhit të dashur.
“Të dashur shqiptarë! Më pritët në shtëpitë tuaja si Sadna dhe më dhuruat aq shumë dashuri, pavarësisht gjuhës dhe largësisë, të cilat nuk dukeshin se kishin aspak rëndësi. E kam mbajtur atë dashuri me vete që prej asaj kohe. Sot, zemra ime është e rënduar kur mendoj për ju, veçanërisht për të rinjtë tuaj, shpresat e tyre dhe familjet që presin që ata të kthehen shëndoshë e mirë në shtëpi. Është thellësisht prekëse dhe e dhimbshme të mendosh se zemrat e të rinjve duhet të përballen me kaq shumë frikë, kur në të vërtetë duhet të kenë kaq shumë arsye për të parë me shpresë drejt së ardhmes. Çdo i ri meriton të dëgjohet, të trajtohet me butësi dhe dinjitet, si dhe të besojë se ëndrrat e tij kanë një vend në vendin e vet. Do të doja që këto fjalë të mund t'u sillnin sadopak ngushëllim të gjithë atyre që po vuajnë. Çdo prindi të shqetësuar, çdo të riu të frikësuar dhe kujtdo që po përjeton në heshtje momente të vështira: ju jeni në mendimet dhe lutjet e mia. Ju bëtë që dikush, edhe pse larg jush, të ndihej si një nga tuajt. Ju lutem, dijeni se dhimbja juaj nuk më duket aspak e largët. Me dashuri dhe me një lutje të heshtur për ditë më të qeta, Sadna juaj”, shkruan aktorja indiane.
Ndërkohë edhe aktorja Angelina Jolie ka postuar në mbështetje të protestave studentore në Tiranë. Në fotografinë që shpërndahet online, e paraqitur si një Instagram Story nga profili i verifikuar i aktores, shfaqen pamje të protestave, flakë, forca policie dhe portrete njerëzish me lot në sy. Në qendër të materialit lexohet fjala “ENOUGH” (Mjaft), ndërsa në njërën prej pamjeve duket edhe flamuri shqiptar.