Policia helmon studentët dhe të rinjtë me gaz lotsjellës të skaduar

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 15.10.2026, 21:33

Ndërsa Tirana është mbuluar nga gazi lotsjellës gjatë protestës së studentëve dhe të rinjve, një denoncim i mbërritur në redaksinë tonë ngre një tjetër shqetësim serioz për municionin e përdorur nga policia.

Një qytetar i ka dërguar redaksisë sonë fotografinë e një kapsule gazlotsjellëse të përdorur gjatë protestës së sotme, ku shënohet se është prodhuar në korrik të vitit 2019 dhe ka skaduar në korrik të vitit 2023.

Pra, municioni i fotografuar e ka kaluar afatin e shënuar të përdorimit prej më shumë se tre vitesh, por është përdorur në rrugët e Tiranës, aty ku studentët dhe të rinjtë po përballen me gazin lotsjellës të hedhur nga policia.

Pamjet e protestës kanë treguar përhapjen e gazit në zonat ku po zhvillohen përplasjet, ndërsa protestuesit janë përballur me vështirësi në frymëmarrje dhe irritim të syve.

Pyetja që kërkon përgjigje nga Policia e Shtetit është e drejtpërdrejtë: përse po përdoret municion që e ka kaluar afatin e shënuar në etiketë? Kush e ka kontrolluar këtë material dhe kush mban përgjegjësi për përdorimin e tij?

Qytetarët që protestojnë kanë të drejtë të kërkojnë llogari për mënyrën se si trajtohen nga institucionet. Ndërsa policia përdor gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, publiku meriton të dijë nëse municioni që po përdoret është kontrolluar dhe nëse përmbush standardet e sigurisë.

Policia e Shtetit duhet të japë një shpjegim për datat e dukshme në kapsulën e fotografuar dhe për arsyen pse një municion me afat të kaluar ndodhet ende në përdorim gjatë protestave.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit