Ndërsa institucionet e shtetit shqiptar vazhdojnë të prodhojnë lajme ku qytetarët përfundojnë në urgjencë nga “kujdesi i tepruar” i uniformave blu, spektakli i hipokrizisë politike ka arritur një nivel të ri. Rasti i fundit i 19-vjeçarit Ledion Balia nga Librazhdi, të cilit iu thye këmba gjatë një ndërhyrjeje të dhunshme të policisë në Tiranë, na dha mundësinë të shohim se si tragjedia e një të riu shndërrohet brenda pak orësh në material të pastër propagande.
Në skenë hyn kryebashkiaku i Librazhdit, Mariglen Disha. Në vend që të përballet me realitetin e hidhur se qytetarët e qytetit që ai drejton dhunohen nga strukturat e të njëjtit shtet që ai përfaqëson, Marigleni ka zgjedhur rrugën e artit të imazhit. Celulari gati, ndriçimi i përshtatshëm, buzëqeshja e matur dhe, klik!, fotografia pranë shtratit në Spitalin e Traumës është gati për të pushtuar rrjetet sociale.
Çfarë lloj solidariteti është ky, ku përfaqësuesi i pushtetit shfaqet te koka e të dëmtuarit, jo për të kërkuar llogari nga strukturat që shkaktuan plagosjen, por për të bërë sikur “interesohet”? A do të guxojë vallë Mariglen Disha t’i kërkojë llogari partisë së tij dhe zinxhirit komandues të policisë për dhunën e ushtruar ndaj një djali të Librazhdit? Apo guximi i pushtetarëve tanë mbaron aty ku fillon postimi i radhës në Facebook?
Përtej cinizmit të shfaqjeve me regji qendrore, e vërteta është se Ledionit dhe çdo të riu tjetër në këtë vend nuk u duhen vizitat turistike të zyrtarëve që kërkojnë pikë politike mbi fashot e spitalit. Atyre u duhet drejtësi. Derisa pushtetarët tanë ta kuptojnë se dhimbja njerëzore nuk është sfond për fushatë, spitalet dhe rrugët e Shqipërisë do të vazhdojnë të jenë skena të një teatri ku qytetari paguan faturën, ndërsa politikani merr duartrokitjet.