Shpërthime të forta janë dëgjuar mbrëmjen e kësaj të hëne në Riad, kryeqytetin e Arabisë Saudite, ndërsa autoritetet njoftuan se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin interceptuar dy raketa balistike të lëshuara drejt qytetit.
Sipas raportimeve më të fundit në mediat ndërkombëtare, banorët morën paralajmërime në telefon për rrezik të mundshëm. Pak më vonë, Mbrojtja Civile njoftoi se rreziku kishte kaluar.
Ndërkohë, në rrjetet sociale janë shpërndarë pamje që pretendohet se tregojnë momentet e shpërthimeve dhe alarmit në kryeqytet.
Ngjarja vjen në një moment tensioni të lartë në rajon, pas sulmeve të përsëritura të rebelëve Houthi ndaj Arabisë Saudite.
Aeroporti Ndërkombëtar King Khalid në Riad vijon të jetë i mbyllur pas sulmeve të ditëve të fundit, të cilat kanë shkaktuar viktima dhe të plagosur.
Deri në këto momente, nuk ka raportime të konfirmuara për viktima apo dëme të reja nga shpërthimet e kësaj mbrëmjeje. Autoritetet saudite kanë bërë të ditur se raketat u interceptuan përpara se të godisnin objektivin.