Protesta e 135-të kundër qeverisë dhe klasës politike u zhvillua mbrëmjen e sotme në Tiranë, ku qytetarët dolën sërish në rrugë për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e situatës politike në vend.
Gjatë zhvillimeve të protestës, aktivisti Arben Kola dhe Dritan Goxhaj u shoqëruan nga policia. Deri më tani, nuk janë bërë të ditura arsyet konkrete të shoqërimit të tyre.
Protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan drejt Kryeministrisë, ku vijuan me fjalime dhe thirrje kundër qeverisë. Ata përsëritën kërkesat për dorëheqjen e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike tranzitore.
Gjatë tubimit, aktivistët deklaruan se nuk kanë ndërmend të ndalin protestat, duke e cilësuar qëndresën e tyre si një përpjekje për të kërkuar llogari nga pushteti dhe për të sjellë ndryshim politik.
Në vijim të protestës, qytetarët u afruan drejt godinës së Kryeministrisë, ku policia kishte vendosur një kordon për të kufizuar lëvizjen e tyre.
Edhe pas 135 ditësh protestash, pjesëmarrësit këmbëngulin se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.