Kadastra i përgjigjet Vangjel Dules për pronat në Himarë: “Nuk ka skemë grabitjeje, sillni faktet”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 12.10.2026, 19:50

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit Vangjel Dule në Kuvend për procesin e regjistrimit të banesave pa dokumentacion pronësie në Himarë, duke i cilësuar pretendimet e tij si të pavërteta.

Në një video-mesazh, Goxhobelli kundërshton akuzat për pengim të qëllimshëm të regjistrimit të banesave në lagjen “Kala” dhe për një skemë të pretenduar të marrjes së pronave. Sipas saj, puna e institucionit në terren synon të ndihmojë qytetarët të zgjidhin problematikat e pronësisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Kadastra nuk ka qëllim t’i marrë pronën askujt. Ka vetëm një detyrë: të ndihmojë qytetarët të zgjidhin problemet e tyre të pronësisë, në përputhje me ligjin”, deklaron Goxhobelli, duke i kërkuar deputetit Dule të paraqesë faktet dhe të përballet me institucionin për pretendimet e ngritura.

Drejtoresha shpjegon se përmes nismës “Kadastra derë më derë”, specialistët po kontaktojnë banorët për të shqyrtuar dokumentacionin e banesave dhe për të verifikuar situatën e pronësisë. Procesi përfshin si ndërtimet pa leje të realizuara pas vitit 1991, ashtu edhe banesat e ndërtuara më herët, përfshirë ato që mund të jenë dëmtuar me kalimin e kohës.

Sipas saj, procedurat bazohen te deklarimet e qytetarëve, verifikimet në terren dhe kërkesat ligjore. Çdo deklarim i rremë sjell përgjegjësi përkatëse, ndërsa trajtimi i dosjeve kryhet pa privilegje apo dallime politike.

Goxhobelli thekson gjithashtu se procesi synon të jetë transparent. Pas përfundimit të punës në çdo fshat, të dhënat publikohen në platformën online të Kadastrës, ku qytetarët mund të shohin ecurinë e dosjeve të tyre, nëse ato ndodhen në afishim publik, nëse kanë mangësi dokumentacioni apo nëse specialistët nuk kanë mundur të hyjnë në banesë për të kryer verifikimet.

Banorët mund të paraqiten pranë specialistëve të ASHK-së gjatë kohës që ekipet qëndrojnë në bashki ose të kërkojnë informacion përmes numrit pa pagesë 0800 8811.

Në përfundim të reagimit, drejtoresha e Kadastrës nënvizon se çështjet e pronësisë duhet të trajtohen mbi bazën e fakteve dhe transparencës, duke paralajmëruar se deklaratat e pavërtetuara nga persona me përgjegjësi publike mund të dëmtojnë besimin te institucionet dhe të keqinformojnë qytetarët.

“Të drejtat e pronësisë nuk mbrohen me akuza dhe insinuata, por me fakte, transparencë dhe zbatim të ligjit”, përfundon Goxhobelli.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit