Tragjedi në Itali, aksidenti në vendin e punës i merr jetën 35-vjeçarit shqiptar

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 08.10.2026, 21:13

Një 35-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik në vendin e punës, në pyjet e Rasorës, në zonën e Castiglione dei Pepoli, në provincën e Bolonjës.

Viktima është identifikuar si Shkëlzen Pali, i cili prej vitesh jetonte në Itali. Ai ndodhej në zonën pyjore së bashku me një koleg, me të cilin po punonte në prerjen dhe transportimin e pemëve.

Për zhvendosjen e trungjeve përdorej një teleferik i lëvizshëm, ndërsa aksidenti ndodhi gjatë një prej operacioneve me kabllot e sistemit.

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, një pjesë e kabllos kishte krijuar një lak në terren dhe 35-vjeçari dyshohet se kishte futur këmbët brenda tij pa e kuptuar rrezikun. Në momentin kur mekanizmi u vu në lëvizje, kablloja e ka përfshirë dhe e ka goditur rëndë.

Kolegu i tij ka ndaluar menjëherë makinerinë dhe ka dhënë alarmin, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe karabinierët. Për 35-vjeçarin, megjithatë, nuk ka pasur më asgjë për të bërë.

Hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit kanë nisur nga Karabinierët dhe shërbimi i Mjekësisë së Punës së Ausl-it. Autoritetet po verifikojnë rrethanat e ngjarjes dhe respektimin e masave të sigurisë në vendin e punës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit