Një dedikim i veçantë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga vajzat e ekipit të volejbollit të shkollës 9-vjeçare “Besëlidhja e Malësisë” në Tropojë, për mësuesin e tyre të Edukimit Fizik, Gëzim Pali, i cili së fundmi ka dalë në pension.
Vajzat kanë dashur ta surprizojnë profesor Gëzimin me një mesazh mirënjohjeje, duke rikujtuar vitet e kaluara së bashku, që nga klasa e parë deri në klasën e tetë.
Dy fotografi, njëra nga koha kur ishin ende të vogla dhe tjetra vite më vonë, janë për to një simbol i këtij rrugëtimi. Në të dyja, ato janë krah mësuesit që i shoqëroi për vite jo vetëm në orët e Edukimit Fizik, por edhe në aktivitetet dhe garat e volejbollit.
“Ju na mësuat se fitorja nuk është gjithmonë të dalësh i pari, por të mos dorëzohesh; se një ekip nuk është vetëm të luash bashkë, por të mbështesësh njëri-tjetrin”, shkruajnë vajzat në dedikimin e tyre.
Për to, profesor Gëzimi nuk ka qenë thjesht një mësues që u mësoi sportin. Ai ka qenë pjesë e viteve të tyre të rritjes, duke u dhënë këshilla, kujtime dhe mësime që, siç shprehen vetë, do t’i shoqërojnë edhe më tej.
“Sot, ndërsa nisni një kapitull të ri të jetës, ju nuk lini pas vetëm një vend pune. Lini pas një gjurmë të bukur në jetën e shumë nxënësve, një emër që do të kujtohet me respekt dhe shumë histori që do të tregohen edhe pas shumë vitesh”, vijon mesazhi.
Vajzat e volejbollit i urojnë mësuesit të tyre një pension të qetë, të bukur dhe të merituar, duke i kujtuar se largimi nga shkolla nuk do të thotë se do të largohet edhe nga kujtimet e nxënësve të tij.
“Një mësues i mirë largohet nga shkolla, por nuk largohet kurrë nga kujtimet e nxënësve të tij. Faleminderit për çdo vit, çdo këshillë, çdo buzëqeshje dhe çdo kujtim. Me shumë respekt dhe dashuri nga vajzat e volejbollit!”