Një video e pazakontë e filmuar në bordin e një avioni kinez është bërë virale në rrjetet sociale, pasi një stjuardesë shihet e ulur në gjunjë dhe me lot në sy, duke i kërkuar falje një pasagjeri.
Ngjarja ka ndodhur më 28 shtator 2026, në një fluturim të China Eastern Airlines nga Hefei drejt Dalianit. Sipas kompanisë ajrore, stjuardesa po shërbente pijet me karrocë dhe, teksa një pasagjer ishte në gjumë, karroca preku pa dashje bërrylin e tij.
Stjuardesa i kërkoi menjëherë falje dhe kontrolloi gjendjen e tij, por situata nuk u mbyll aty. Sipas dëshmisë së një pasagjeri që filmoi skenën, stjuardesa u ul në gjunjë disa herë për t’i kërkuar falje, ndërsa pasagjeri vijoi të shfaqte zemërim.
Kompania ajrore deklaroi më vonë se pasagjeri kishte përdorur gjuhë fyese dhe agresive dhe e kishte kërcënuar stjuardesën se do ta godiste me shkelm. Për të qetësuar situatën dhe për të ruajtur rendin në kabinë, ndërhynë shefi i ekuipazhit dhe një punonjës sigurie.
Pas uljes së avionit, pasagjeri u kontrollua nga personeli mjekësor, por nuk iu konstatuan dëmtime të dukshme apo ënjtje dhe nuk pati nevojë për trajtim të mëtejshëm. Sipas kompanisë, ai refuzoi edhe shoqërimin për në spital dhe u largua vetë.
Ngjarja shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë përdorues kritikuan mënyrën se si u trajtua stjuardesa për një kontakt që, sipas kompanisë, ishte aksidental.
Ndërkohë, çështja ka marrë edhe një zhvillim zyrtar. China Eastern njoftoi më 3 tetor se e ka raportuar pasagjerin në polici dhe i ka pezulluar të drejtën për të udhëtuar me kompaninë, duke e konsideruar sjelljen e tij si të dyshuar për prishje të rendit në një avion civil dhe cenim të dinjitetit profesional të punonjëses.
Stjuardesja, ndërkohë, ka marrë mbështetje psikologjike nga kompania dhe është rikthyer në punë.