Djali i ish-drejtoreshës së Postës që vidhte pensionet dhunon efektivin e policisë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.10.2026, 22:24

Djali i ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, është vënë nën hetim në gjendje të lirë, pasi akuzohet se ka goditur me grushte një efektiv policie jashtë shërbimit.

Sipas raportimeve, ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 6 në Durrës, ku i riu, së bashku me një 18-vjeçar, dyshohet se janë konfliktuar me efektivin 25-vjeçar dhe më pas e kanë goditur. Shkaqet e përplasjes nuk janë bërë ende të ditura.

Ngjarja vjen në një moment kur emri i familjes Mataj është në qendër të vëmendjes për shkak të hetimit ndaj Elisabeta Matajt, ish-drejtoreshë e Postës së Durrësit, e cila dyshohet për përvetësimin e rreth 700 mijë eurove të destinuara për pagesën e pensioneve në Krujë dhe Shijak.

Mataj u arrestua në korrik dhe më 25 shtator Gjykata e Durrësit zëvendësoi masën “arrest në burg” me “arrest në shtëpi”, duke urdhëruar lirimin e saj nga paraburgimi. Ndryshimi i masës nuk përbën vendim pafajësie dhe hetimi ndaj saj vijon.

Sipas hetimeve të raportuara më herët, Mataj dyshohet se në bashkëpunim me ish-shefen e financës Valbona Duni dhe arkëtaren Paola Dana ka përvetësuar fondet e destinuara për pensionet. Pamjet e saj duke nxjerrë para nga ambientet e Postës me qese të zeza u publikuan gjerësisht në media.

Ndërkohë, për ngjarjen e fundit, djali i Matajt dhe shoku i tij do të hetohen në gjendje të lirë për konfliktin dhe goditjen e punonjësit të policisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit