Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një autobus të linjës Kamëz–Çerkezë, për të cilin ngre shqetësime si për hedhjen e mbeturinave në rrugë, ashtu edhe për ndriçimin gjatë lëvizjes natën.
“Ja si hudhen mbeturinat në mes të rrugës. Edhe levizen në mes të rrugës pa drita. Linja Kamëz–Çerkezë.”
Në pamjet e dërguara shihet një autobus urban i linjës EuroCity, ndërsa pranë pjesës së pasme të tij, në asfalt, duken mbeturina dhe letra të shpërndara në mes të rrugës.
Qytetari pretendon se këto mbeturina hidhen gjatë lëvizjes së autobusit. Në të njëjtën video, ai ngre shqetësimin se dritat e pasme të autobusit duken të fikura ose të padukshme gjatë qarkullimit në errësirë.
Nëse pamjet pasqyrojnë situatën e pretenduar nga qytetari, bëhet fjalë për dy problematika që kërkojnë verifikim: menaxhimin e mbetjeve gjatë shërbimit dhe sigurinë e qarkullimit gjatë natës.
JOQ Albania publikon pamjet dhe denoncimin, ndërsa pret reagimin e kompanisë dhe institucioneve përgjegjëse për të sqaruar situatën.