“Gjoba sa për sy e faqe?”/ Qytetari ngre dyshime për fletët e gjobave në makinat e Bashkisë Tiranë

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 03.10.2026, 21:27

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania, për të denoncuar mënyrën se si, sipas tij, vendosen gjobat nga Policia Bashkiake Tiranë.

Në pamjet e dërguara shihen dy automjete, njëri prej tyre me shenjat e Bashkisë Tiranë, ku në xhamat e përparmë janë vendosur fletë gjobe të Policisë Bashkiake.

Qytetari ndalet fillimisht te një automjet gri, ku tregon fletën e gjobës të vendosur në xham dhe ngre dyshime për mënyrën e plotësimit të saj. Më pas, në një tjetër automjet të bardhë me shenjat e Bashkisë Tiranë, shihet një tjetër fletë gjobe.

Sipas qytetarit, në këtë rast shuma e shënuar në fletën e gjobës është 2 mijë lekë, ndërsa ai pretendon se ndaj qytetarëve të zakonshëm gjobat vendosen me shuma më të larta.

“Policat e bashkisë këtyre u vënë gjoba fallco makinave të bashkisë, ndërsa popullit sa krahu”, shprehet qytetari.

Megjithatë, nga pamjet e dërguara nuk mund të konfirmohet nëse gjobat janë fiktive apo nëse janë regjistruar zyrtarisht.

Qytetari kërkon që rasti të verifikohet dhe të sqarohet nëse këto gjoba janë të vlefshme, si dhe nëse procedura e ndjekur për vendosjen e tyre ka qenë në përputhje me rregullat.

JOQ Albania publikon pamjet dhe denoncimin e qytetarit, ndërsa mbetet e hapur për reagimin e Bashkisë Tiranë dhe Policisë Bashkiake.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit