Policia e Peshkopisë ka bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar për kërcënimin me shpërthim eksplozivi ndaj pronarit të një biznesi pranë Spitalit të qytetit. Personi i identifikuar si autor i dyshuar është Zija Shulku.
Sipas hetimeve paraprake, Shulku i ka kërkuar tregtarit një shumë prej 50 milionë lekësh, duke e paralajmëruar se nëse nuk paguante brenda një afati prej dy orësh, do t'i hidhte në erë biznesin.
Zbardhja e ngjarjes nisi pas mbërritjes së një pakoje të dyshimtë në ambientet e subjektit tregtar. Lënda eksplozive ishte fshehur brenda një kutie pice, brenda së cilës ndodhej edhe letra me mesazhin kërcënues për dorëzimin e parave.
Përmes këqyrjes së pamjeve nga kamerat e sigurisë në zonë dhe veprimeve operative hetimore, policia ra në gjurmët e Zija Shulkut.
Strukturat e policisë po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe arrestimin e autorit, ndërsa pritet edhe njoftimi zyrtar nga autoritetet për detajet.