“Qindra makina u bënë si e imja”/ Makina mbulohet me zift gjatë punimeve në Durrës

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 02.10.2026, 18:40

Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar dëmtimin e automjetit të saj gjatë punimeve për shtrimin e rrugës në Durrës.

Sipas saj, ngjarja ka ndodhur në dalje të Durrësit, pranë stacionit të trenit, në segmentin që lidh qytetin me autostradën, ku po kryheshin punime me zift.

Qytetarja pretendon se në momentin kur po kalonte në këtë segment nuk kishte sinjalistikë që paralajmëronte drejtuesit e automjeteve për punimet dhe praninë e ziftit në rrugë.

Si pasojë, sipas saj, automjeti i saj, është spërkatur me zift në pjesën e poshtme dhe në disa pjesë të jashtme të karrocerisë.

Në pamjet e dërguara në redaksi shihet automjeti në një lavazh, ku po pastrohet pjesa e poshtme me presion të lartë. Në pamje të tjera dallohen njolla të zeza në rrotat, gomat, disqet dhe pjesë të tjera të automjetit.

Denoncuesja thotë se edhe pas larjes, zifti nuk është hequr plotësisht dhe pretendon se nuk është rasti i vetëm, pasi sipas saj, gjatë kalimit në këtë segment janë prekur edhe shumë automjete të tjera.

“Qindra makina janë bërë kështu si e imja”, shprehet ajo në videon e dërguar në redaksi.

Qytetarja shprehet se do ta ndjekë çështjen edhe në rrugë ligjore dhe kërkon që të verifikohet nëse segmenti ishte sinjalizuar siç duhet gjatë punimeve dhe nëse drejtuesit e automjeteve ishin paralajmëruar për rrezikun.

JOQ Albania publikon pamjet dhe denoncimin e qytetares, ndërsa mbetet e hapur për reagimin e Bashkisë Durrës dhe institucioneve përgjegjëse për punimet në këtë segment rrugor.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit