Qeveria miratoi kullën tek Tajvani që të harrohet skandali i Adi Hilës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 01.10.2026, 20:57

Në një lëvizje strategjike të menduar me precizion kirurgjikal, qeveria ka vendosur të zbatojë me urgjencë planin e shpëtimit të vëmendjes publike: zëvendësimin e kompleksit "Taiwan" te Parku Rinia me kullën masive "TIRANA FOUNTAIN PLAZA".

Vendimi vjen fiks në momentin kur rrjetet sociale dhe tavolinat e kafeneve po zienin mbi videot e kamerave të fshehta në studio dhe pretendimeve për hakime kompjuterike. Duke parë se e gjithë vëmendja e popullit po konsumohej në misteret e studiove muzikore, ekipi i PR-it të pushtetit mori vendimin e madh: “Nuk ka mënyrë më të mirë për t’i hequr njerëzit nga ekranet e telefonave sesa t’u sjellim zhurmën e krahëve të vinçave dhe betonierëve drejt e te dritarja e Parkut Rinia!”

Për të garantuar se harresa do të jetë absolute, studioja e famshme daneze Bjarke Ingels Group (BIG) u përzgjodh për të projektuar kullën. Ideja është e thjeshtë: sa herë që dikush të nisë bisedën për skandale intime, mjafton të ngrejë sytë nga qendra e qytetit, ku hija e kullës gjigante do t'i kujtojë se ka gjëra shumë më të mëdha dhe më të larta për të cilat duhet të shqetësohet.

Për t'i vënë kapakun çdo dileme, u dha edhe garancia klasike se ndërtimi do të bëhet "rreptësisht brenda perimitrit të pronës private" pa prekur asnjë fije bari të parkut. Sepse siç dihet tashmë, pluhuri i betonit, skelat dhe vinçat 100 metra të lartë kanë aftësinë magjike të respektojnë kufijtë e pronës pa spërkatur asnjë gjethe.

Rroftë betoni që na shpëton nga rrjetet sociale, dhe rroftë kulla që na rikthen vëmendjen te gjërat me vlerë: hapësira më e re me hije në mes të Tiranës!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit